Ndërhyrja e shtetit ne marrëdhëniet kontraktore private gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID-19

Ndarja kryesore e së drejtës, e cila vazhdon edhe sot të jetë evidente është ndarja në të drejtën publike (ius publicum) dhe të drejtën private (ius privatum). Kjo ndarje ka një origjinë të hershme, që në Romën e lashtë, ku juristi i shquar Ulpianus dhe përkufizimin: “E drejta publike është ajo që i përket shtetit, kurse e drejta private është në dobi të individit”[1]

Marrëdhëniet private midis individëve rregullohen nga e drejta private, e cila përbëhet nga një tërësi normash juridike që rregullojnë veprimet juridike. Që një veprim juridik të jete i vlefshëm duhet të repsektohet forma dhe kushtet e përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore.  

Duke qenë se marrëdhënia juridike private krijohet midis personave fizik ose juridik, shteti nuk mund të ndërhyjë në këtë marrëdhënie, të krjojë kushte të reja, të ndyshojë apo të shuajë kushtet dhe rrethanat e një veprimi juridik, i cili është krijuar në përputhje me ligjin.

Në datën 24.03.2020, u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave nr. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqëssë natyrore”.  Afati i gjendjes së fatkeqësisë natyrore u zgjat deri më datë 23.06.2020. Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për shkak të COVID 19, u pasuar dhe me ndërmmarjen e një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore për përballimin e situatës dhe minimizimin e pasojave. Për të mbrojtur interesin publik dhe jetën/shëndetin e qytetarëve u kufizuan disa të drejta dhe liri të individit, si e drejta për të lëvizur, për të punuar etj.

Kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është bazuar në nenin 175 pika 2 e Kushtetutës, në të cilin parashikohet se: Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të kufizohen të drejtat dhe liritë e parashikuara nga nenet: 37, 38, 41 paragrafi 4, 49, 51”.

Me qëllim përballimin e efekteve të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID 19, Këshilli i Ministrave, miratoi Aktin normativ nr. 12, datë 2.4.2020 “Për dia shtesa në Aktin Normativ nr.3, datë 15.3.2020, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19[2]

Sipas aktit normativ nr. 12, datë 2.4.2020, është parashikuar që pezullohet detyrimi për pagimin e qirasë për individët, studentët, personat fizik ose juridik, që përmbushin kushtet e mëposhtme:

  • Individëve, i pezullohet detyrimi për të paguar qiranë për muajin Prill, Maj, kur:
    • Kanë një kontratë për banesë, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë;
    • Kanë një kontratë pune, e cila është pezulluar apo zgjidhur si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID -19.
  • Studentëve, i pezullohet detyrimi për të paguar qiranë për muajin Prill, Maj, kur:
    • Kanë kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës– qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemies;
  • Personave fizik dhe juridik, i pezullohet detyrimi për të paguar qiranë për muajin Prill, Maj, kur:
    • Kanë të ardhura deri në 14milion në vit;
    • Kanë kontrata noteriale qiraje përpara epidemies;
    • Kanë pezulluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19.

Sipas aktit normativ, detyrimi i parapambetur i këtyre dy muajve do të paguhet nga qiramarrësi në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas datës 31 Maji 2020.

Gjithashtu në aktin normativ është parashikuar dënimi me gjobë për qiradhënësin, i cili nuk zbaton detyrimet e parashikuar në aktin normative, në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse.

Pyetja që ngrihet është: A mundet shteti të ndërhyjë në një marrëdhënie juridike private për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore?

Kontrata është një veprim juridik me anë të të cilit një ose disa palë krijojnë, ndryshojnë ose shuajnë një marrëdhënie juridike. Në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë, janë parashikuar shprehimisht një sërë kontratash, që në doktrinën e të drejtës së detyrimeve njihen si kontrata tip ose të emërtuara, siç është dhe kontrata e qirasë.

Kontrata e qirasë përkufizohet nga neni 801 i Kodit Civil, si vijon: “kontrata që lidhet ndërmjet dy palëve, sipas së cilës njëra palë detyrohet t’i japë palës tjetër një send të caktuar, në gëzim të përkohshëm kundrejt një shperblimi të caktuar”.

Parimi më i rëndësishëm, mbi të cilin ngrihet marrëdhënia juridike e detyrimeve, veçanërisht në marrëdhëniet kontraktore është ai i lirisë kontraktore. Marrëdhënie juridiko-private ka në thelb, që vetë palët të rregullojnë qartësisht të drejtat dhe detyrimet midis tyre dhe ndërhyrja e shtetit në këtë marrëdhënie ka krijuar debat të gjerë publik.

Ky parim parashikohet konkretisht në nenin 660 të Kodit Civil: “palët në kontratë përcaktojnë lirisht përmbajtjen e saj, brenda kufijve të vendosura nga legjislacioni në fuqi”.

Në Kodin Civil është rregulluar situata midis palëve, në rastin kur njëra nga palët është në pamundësi për të ekzekutuar detyrimin, konkretisht në nenin 488 parashikohet se: “Kur në një  kontratë  me detyrime  të  dyanshme,  ekzekutimi  i detyrimit të një pale është bërë i pamundur pa fajin e asnjërës palë, secila prej tyre nuk ka të drejtë të kërkojë nga tjetra ekzekutimin e detyrimit ose shpërblimin e dëmit, përveç kur në ligj ose në kontratë është  parashikuar  ndryshe.  Secila  nga  palët  ka  të  drejtë  të  kërkojë nga  pala  tjetër  që  t’i  kthejë  atë  që  është  dhënë  për  ekzekutimin  e detyrimit”.

Neni 479 parashikohet se: “Çdo marrëveshje që përjashton ose kufizon palët nga përgjegjësia për mosekzekutimin e detyrimeve është e pavlefshme”.

Kur një ngjarje që përbën fatkeqësi natyrore, e pengon njërën nga palët të përmbush detyrimin e saj, duhet të analizojmë se cili nga palët do të përballojë “riskun” e kësaj gjendjeje të shkaktuar pa fajin e asnjërit. Në parim risku bie mbi debitorin (res perit debitori)[3]. Të dyja palët çlirohen nga detyrimi dhe kontrata e tyre zgjidhet ligjërisht. Asnje palë nuk mund të dënohet me shpërblim dëmi dhe interesa, meqënëse asnjëri nuk ka bërë faj. Nëse pamundësia e përmbushjes për shkak të forcave madhore nuk është e përhershme, kontrata nuk zgjidhet dhe përmbushja e saj vetëm sa pezullohet. Në këtë rast[4]:

  • Debitori, i cili nuk mund të përmbushë detyrimin për momentin, nuk çlirohet nga ky detyrim, sapo pengesa të jetë larguar, ai duhet të përmbushë detyrimin.
  • Kreditori, nga ana e tij, nuk është i detyruar të përmbushë detyrimin për sa kohë që debitori nuk përmbush të tijin.

Sa më sipër ndërhyrja e shtetit me aktin normativ, duke pezulluar detyrimin e qiramarrësit për të paguar qiranë, ndonëse duket si i domosdoshëm në këtë situatë, siç është gjendja e epidemisë së shkaktuar nga COVID -19, nuk është proporcionale, nuk është i bazuar në Kushtetutë dhe në Kodin Civil.

Në këtë situatë vetë palët e marrëdhënies kontraktore të qirasë, qiradhënësi dhe qiramarrësi kanë mjetet ligjore të parashikuar nga Kodi Civil për mos pagimin e detyrimit, pasi mos pagimi i detyrimit nuk rrjedh për faj të tyre.

Shteti si rregullator i gjithë sistemit, nuk përjashtohet nga mundësia të ndërhyjë dhe të minimizojë pasojat dhe efektet që mund të sjellë gjendja e fatkeqësisë natyrore, por në këtë rast duhet të parashikojë mbështetje për të dyja palët dhe jo vetëm për njërën pale, pasi mund të ketë qiradhënës që kanë si mjet jetese vetëm qiranë që marrin nga një banesë etj. Mbështetja e njërës palë, duke cënuar të drejtat pasurore të palës tjetër dhe mos parashikimi i asnjë mase për mbështjen e palës qiradhënëse , sjell diskriminim, trajtim të pabarbartë në kushte të njëjta dhe ndërhyrje të padrejtë në marrdhënien juridike private.

Punoi:

Av. Xh.Terihati & Av. A.Kurti


[1] Shih Latifi.J, “E drejta Civile” (pjesa e përgjithshme), Grafon 2005, referuar dhe te Mandro.A, “E drejta romake”, shtëpia botësuese “Afërdita”, 1999

[2]Akti është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 57, datë 2.4.2020

[3] Shih Gerard Legier, “E drejta civile, detyrimet” shtëpia Botuese Papirus, botimi 19-2008, fq.122

[4] Po aty, fq. 124

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *