Mbrojtja e shëndetit dhe siguria në punë gjatë kohës së epidemisë të COVID -19

Mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve gjatë kohës së kryerjes së punës është një nga të drejtat, që i është dhënë një mbrojtje të veçantë në aktet ligjore ndërkombëtare, si dhe nga legjislacioni i brendshëm. Kuadri ligjor aktual ka parashikuar një tërësi dispozitash që vendosin përpara detyrimit punëdhënësin për të marrë të gjitha masat për të garantuar dhe mbrojtur shëndetin dhe jetën e punëmarrësve në ambjentin e punës dhe detyrimin e këtyre të fundit për ti respektuar këto masa.[1]

Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me Aktin Normativ të Këshillit të Ministrave nr. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqëssë natyrore” dhe zgjatja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë deri më datë 23.06.2020, ka sjellë ndër të tjera detyrimin e punëdhënësve dhe punëmarrësve për të respektuar “protokollin e sigurisë”, i cili parashikon marrjen e një një sërë masash shtesë higjeno-sanitare dhe distancimin social me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Marrja e masave shtesë nga ana e punëdhënësit ka një qëllim shumë të madh, pasi këto masa nuk do të mbrojnë vetëm shëndetin dhe jetën e punëmarrësve, por edhe të qytetarëve të tjerë, duke mbrojtur në këtë mënyrë jo vetëm të drejtat dhe interesin privat të punëmarrësit, por edhe sigurinë dhe interesin publik. Për këtë arsye është shumë e domosdoshme që punëdhënësit, punëmarrësit të zbatojnë në mënurë rigoroze masat higjeno-sanitare, distancimin social me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Protokollet e sigurisë që duhet të zbatohen nga punëdhënësit janë parashikuar në Urdhrin nr.266, datë 21.04.2020 për “Miratimin e protokolleve të posaçme për plotësimin e masave higjeno-sanitare, distancimit social dhe masave specifike, për parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”. 

Sipas urdhrit, masat do të jenë të individualizuara sipas llojit të aktivitetit që kryejnë subjektet tregtare, duke i ndarë në kategori:

  • Me risk të ulët;
  • Me risk të mesëm;
  • Me risk të lartë.

Me qëllim reduktimin e transmetimit të COVID-19 midis punonjësve, sigurimin e një ambjenti të shëndetshëm në punë dhe për të siguruar vijëmësinë normale të aktivitetit të bisnesit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 10.04.2020, ka miratuar Udhëzuesin “Për rekomandime të përgjithshme ndaj subjekteve të biznesit që lejohen të zhvillojnë aktivitetin në kushtet e lehtësimit të masave të marra për kufizimin e përhapjes së COVID-19”

A. Masat që duhet të merren nga punëdhënësit janë:

  1. Masa detyruese për sigurimin e mjeteve të higjenës dhe riorganizimin e ambientit për respektimin e distancimit social, të cilat përfshijnë:
  • Sigurimi i vazhdueshëm i elementëve të higjenës, ku përfshihen sapun i duarve, dezinfektantët, të cilët duhet të përmbajnë të paktën 60% alkool, letër të pastrimit të duarve ose peshqir me një përdorim, letra dhe dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve dhe sigurimin e koshave të mbyllur për eleminimin e mbetjeve;
  • Sigurimi i vazhdueshëm i mjeteve mbrojtëse personale si maska (maskat mund të jenë dhe prej cope dhe të ndërrohen çdo ditë) dhe doreza, me qëllim krijimin e një barrier fizike për minimizimin e transmetimit të infeksionit COVID-19;
  • Mos lejimi i punëmarrësve për përdorimin e mjeteve të njëri-tjetrit dhe postet e ndërsjellta të punës.
  • Pastrimin e vazhdueshëm të sipërfaqeve dhe elementëve të tjerë të vendit të punës si psh. si stacionet e punës, tastierat, telefonat, parmakët dhe dorezat.
  • Hartimi i politikave të brendshme për krijimin e mundësisë së kryerjes së punës nga shtëpia ose orë flexibile, të cilat lejojnë rritjen e distancës midis punonjësve, duke respektuar distancën 2 m. Kur kapaciteti i punonjësve nuk mundëson respektimin e distancës prej 2 m bizneset duhet të riorganizojnë punën në turne.
  • Zbatimin e opsioneve fleksibël të takimit dhe të udhëtimit;
  • Rritja e nivelit të ventilimit;
  • Rritja e përqindjes së ajrit në natyrë që qarkullon në sistem;
  • Bizneset që kanë më shumë se 5 persona rekomandohet të vendosin kamera të survejancës për të vëzhguar nëse masat e përcaktuara të higjenës dhe kujdesit zbatohen me saktësi[2]

2. Masa për informimin dhe inkurajimin/nxitjen e punëmarrësve për respektimin e masave:

  • Vendosja e posterave që inkurajojnë higjenën e duarve në hyrje të vendit të punës dhe në zona të tjera të vendit të punës ku janë të dukshme;
  • Vendosja e elementëve të distancimit fizik me shenja vizuale të dukshme në sipërfaqen e dyshemesë;
  • Afishimi i rregullores mbi tërësinë e masave të minimizimit të transmetimit të COVID-19 në një vend të dukshëm;
  • Rekomandimi që të mos përdoren shtrengimet e duarve dhe përqafimet midis punonjësve dhe inkurajimi i përdorimit të metodave të tjera jokontaktuese të përshëndetjes;
  • Nxitja e punëmarrësve për të larë duart ose përdorimin e dezinfektantëve, respektimi i praktikave të etikës respiratore, kollitje e teshtitje duke përdorur vënien e gropëz së brrylit përpara gojës dhe hundës.
  • Nxitja e zbatimit të vendeve të punës fleksibël, orëve fleksibël të punës, respektimi i hapësirës fizike në vendin e punës;
  • Këshillimi i punëmarrësve që të mos përdorin telefonat, tavolinat, zyrat ose mjetet dhe pajisjet e punëtorëve të tjerë.

3. Detyrimi i punëmarrësve për të respektuar masat

  • Respektimi i masave të distancimit social sipas planit të biznesit;
  • Zbatimi i masave higjeno-sanitare, larja e duarve, përdorimi i dezinfektantit, vendosja e maskës dhe dorezave;
  • Deklarimi te punedhënësi nëse ka patur kontakt me persona të tjerë që rezultojnë me Covid-19;
  •  Nëse punonjësi ka patur kontakt të ngushtë me një person pozitiv me Covid-19 duhet të qëndrojë në vetëkarantinim dhe të njoftojë menjëherë mjekun e biznesit dhe administratorin;
  • Punonjësi që shfaq shenja klinkie duhet të qëndrojë në shtëpi, të vetëizolohet dhe të monitorojë shenjat klinike.
  • Për çdo shqetësim duhet të njoftojë numrin 127 dhe mjekun e familjes, si dhe mjekun e shoqërisë dhe punëdhënësin.

4. Detyimet e punëdhënësit nëse njëri nga punëmarrësit shfaq shenja klinike:

  • Largimin e punonjësit nga puna për të qëndruar në shtëpi;
  • Njoftimi brenda 24 orëve te Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH);
  • Nëse ka një rast të dyshuar me Covid 19 nga mjeku i shoqërisë duhet ë njoftojë menjëherë NJVKSH dhe ISHPSHS.
  • Çdo biznes duhet të ketë një mjedis të caktuar për të izoluar një punonjës, i cili mund të shfaq shenja klinike të sëmundjes dhe më pas lajmërohet 127 dhe NJVKSH.

B. Monitorimi i zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID- 19

Institucioni kompetent, i cili ka për detyrë monitorimin e respektimit të masave nga punëdhënësit është Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimit Social (ISHPSHS).

Në Kodin e Punës dhe në ligjin nr. 9634, datë 20.10.2006 “Për Inspektimin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”, i ndryshuar është parashikuar që ISHPSHS është institucioni kompetente për monitorimin, verifikimin e respektimit të dispozitave të Kodit të Punës nga punëdhënësi, në mënyrë specifike rregullat dhe kushtet e sigurisë dhe mbrojtjes në punë.

Mos zbatimi i këtyre kushteve dhe rregullave sjellë si pasojë marrjen e masave administrative ndaj punëdhësnit, të cilat konsitojnë në:

  • Paralajmërim;
  • Gjobë[3];
  • Pezullim të aktivitetit.

Krahas këtyre masave të përcaktuara në ligjin e sipërcituar, me miratimin e një sërë akteve ligjore gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, janë parashikuar institucione të tjera monitoruese dhe  masa të reja administrative dhe penale ndaj subjekteve që shkelin rregullat dhe masat e marra gjatë periudhës së pandemisë.

Konkretisht në nenin 4 të Aktit Normativ nr.3, datë 15.03.2020 “Për marrjen  e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 parashikohet: “1. Të drejtën e dhënies së masave administrative, sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij akti normativ, e ka organi kompetent sipas fushës së përgjegjësisë dhe, në çdo rast, nga Policia e Shtetit”.

Sipas kësaj dispozite, përveç ISHPSHS një tjetër institucion, i cili ka të drejtën e monitorimit për zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe marrjes së masave administrative  është dhe Policia e Shtetit.

Në Aktin Normativ nr.3, datë 15.03.2020 “Për marrjen  e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, i ndryshuar, në nenin 3 janë parashikuar masat administrative që do merren ndaj subjekteve që nuk respektojnë rregullat dhe masat për parandalimin e COVID-19, konkretisht në pikën 8 të këtij neni është parashikuar:

8. Subjektet dhe individët, publikë apo privatë, të cilët, në kundërshtim me urdhrat e autoriteteve kompetente, lejojnë zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale, kulturore, ekskursionet mësimore të organizuara nga institucionet arsimore, publike dhe private, brenda dhe jashtë vendit, dënohen me gjobë në masën 1 000 000 (një milion) lekë dhe në rast pësëritjeje iu shtohet edhe mbyllja e aktivitetit për një periudhë 6-mujore. Etj.

Krahas masave administrative, subjektet/punëdhënësit që nuk respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe protokollet e sigurisë së miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë dhe përgjegjësi penale.

Në Kodin Penal, i cili u ndryshua me ligjin nr.35/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, janë shtuar dy vepra penale[4].

Konkretisht në nenin 242/a parashikohet se: “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi, ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Sa më sipër, mos zbatimi i protokolleve të sigurisë dhe mos marrja e masave higjeno-sanitare, për distancimin social sipas urdhrave dhe udhëzimit të MSHMS, mund të vërë në rrezik jo vetëm shëndetin e punëmarrësve dhe qytetarëve të tjerë, por ngarkon subjektin me përgjegjësi administrative dhe penale


[1] Shiko neni 39 e vijues të Kodit të Punës, Ligji nr. 10237, datë 18.02.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i ndryshuar etj.

[2] Subjektet duhet të tregojnë kujdes në lidhje me zbatimin e kësaj mase, me qëllim qëtë mos cënohet e drejta e privatësisë së punëmarrësit, si dhe duhet të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Udhëzimi nr. 3 , datë 05.03.2010 “ Për përpunimin etë dhënave me sistemin e video survejimit në ndërtesa dhe mjedise të tjera” i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

[3] Në nenin 33 të ligjit nr. 9634, datë 20.10.2006 “Për Inspektimin e Punës dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”, i ndryshuar, parashikohet se: “1. Për rastet e shkeljes së legjislacionit të punës, inspektori i punës vendos gjobë si më poshtë: a)  për shkelje të dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, inspektori i punës vendos gjobë në masën e përcaktuar në pikat 1, 2, 3 e 5 të nenit 202 të Kodit të Punës[3]; b)  për shkelje të dispozitave të legjislacionit të punës, përjashtuar ato të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, inspektori i punës vendos gjobë nga 10 deri në 50-fishin e pagës minimale, sipas parimit të proporcionalitetit, në përputhje me ligjin për inspektimin.” c)  në rastet e mosnjoftimit brenda 24 orëve të aksidenteve në punë, me pasojë vdekjen, apo të aksidenteve të rënda, inspektori i punës vendos gjobë në masën 100 000 ( njëqind mijë) lekë. 2. Për shkelje të përsëritura të parashikuara në nenin 35, të këtij ligji nga punëdhënësi, të konstatuara më parë nga inspektori i punës, ky i fundit vendos gjobë sa dyfishi i vlerës maksimale të parashikuar për atë lloj shkeljeje. 3. Kur inspektori i punës kundërshtohet apo pengohet në kryerjen e detyrës, subjekti sanksionohet në masën nga 10 000 deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, në përputhje me ligjin për inspektimin”. 4. Inspektori i punës, në caktimin e masës së gjobës ka parasysh përsëritjen e shkeljes, kohëzgjatjen e saj, shkallën e dëmit dhe numrin e të punësuarve të prekur nga kjo shkelje.  5. Gjoba është dënim kryesor.”

[4] Ndryshimet e Kodit Penal hyjn në fuqi më datë 8 Maj 2020

0 replies

Leave a Reply

Want to join the discussion?
Feel free to contribute!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *